July 7, 2020

Shovinisti serb në Qeveri, Hoti i pafuqishëm si kryeministër nuk guxon ta shkarkojë Rakiqin

Çudia e Qeverisë Hoti ndodhi në ditën e parë kur e emëruan për zëvendëskryeministër Goran Rakiqin e Listës Serbe, i cili kurrë nuk e njohu e as që e ka ndërmend ta njoh shtetin e pavarur të Kosovës.

Është pikërisht Rakiqi i cili në postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, e largoi flamurin e shtetit ku është zëvendëskryeministër në takimet që ai pati me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë Natalia Apostolova.

Menjëherë pas kësaj ka pasur edhe reagime, mirëpo jo nda Qeveria.

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se Avdullah Hoti po të ishte kryeministër i fuqishëm do ta shkarkonte Goran Rakiqin i cili është edhe ministër i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale.

“Vet formimi i Qeverisë Hoti në këtë kohë ku është e varur krejtësisht nga Lista Serbe dhe e direktuar nga Serbia do të thotë se nuk do të mund të kryej jo vetëm funksionimin e një qeverie e cila do t’i jap të mira Kosovës, por do të jetë një Qeveri e cila do t’i shkaktoj probleme të shumta Kosovës, për arsye se zëvendëskryeministrin e ka serb dhe në shumicën e shtyllave të shtetit do të emërohen njerëz po nga ky komunitet, siç është AKI-ja, Policia e Kosovës, FSK-ja e të tjera”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se në Qeveri e kemi një shovinist serb.

“Pra na kemi një Qeveri një shovinist serb i cili qysh në ditët e para e tregoj fytyrën e vërtet dhe e largoj nga zyra flamurin e Kosovës. Kjo do të thotë se ai nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe që kryeministri i vendit z. Avdullah Hoti po të ishte një kryeministër i fuqishëm që sot do duhej ta shkarkonte Goran Rakiqin dhe të kërkoj votën e deputetëve shqiptar dhe  Listës Serbë që ta përjashtoj nga kjo Qeveri”, pohon tutje ai.

Islami shton se, kjo qeveri do të jetë jetëshkurtër dhe do të mbahet mend si qeveri e dështimit si qeveri e cila erdhi pa vullnetin e qytetarëve shqiptar.

“Por nuk më befason fakti përderisa në krye të shtetit e kemi një president i cili e ka kurorëzua këtë Qeveri. Pra Hashim Thaçi është mik i ngushtë i Aleksandër Vuçiqit dhe përmes lidhjeve të ngushta me Vuçiqin ka pasur ndikim edhe te krijimi i kësaj Qeverie, andaj sa më shpejt që të ik kjo Qeveri aq më mirë për vendin”, përfundon Gazmend Islami.