Tifozët e Atalantas me kore raciste ndaj Batshuayit – belgu i habitur me këtë, presidenti i klubit italian kërkon falje


Tifozët e Atalantas me kore raciste ndaj Batshuayit – belgu i habitur me këtë, presidenti i klubit italian kërkon falje

Presidenti i Atalantas, Antonio Percassi ka kërkuar falje për Michy Batshuayi pasi sulmuesi i Borussia Dortmund dëgjoi kore raciste nga tifozët e klubit italian.

Futbollisti dërgoi një mesazh pas barazimit 1-1 në Stadiumin Mapei në Reggio Emilia, i cili e pa Dortmundin të kualifikohej për raundin e tetës së Ligës së Evropës me rezultat të përgjithshëm 4-3.

Sulmuesi belg në ndeshjen e kthimit ishte pre e tifozëve të Atalantas, të cilët abuzuan në baza racore ndaj Batshuayit, i cili zbuloi fyerjet në rrjetet sociale.

“2018 dhe ende ka racizëm me zhurma të majmunëve në tribuna … vërtetë?! Shpresoj që të keni kënaqësi të shikoni pjesën tjetër të Ligës së Evropës në TV, pasi ne kaluam tutje”, ka shkruar Batshuayi në profilin e tij.

Presidenti i Atalantas, Percassi u njoftua për postimin e belgut, i cili tregoi për koret raciste, ndërsa nuk përtoi të kërkonte falje.

“Të jem i sinqertë, nuk i dëgjova. Nëse ka ndodhur, atëherë unë jam shumë i trishtuar dhe absolutisht kërkoj falje për Batshuayin”.

“Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë Percassi për Sky Sport Italia.

Kjo gjë nuk është krejtësisht e re, pasi në janar Atalanta u gjobit dhe tifozët e tyre ultras u dënuan për një ndeshje për shkak të këngëve raciste kundër mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibaly.