Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) organizoi në Serbi, forumin mbi këtë çështje të fokusuar tek vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Pjesëmarrës në këtë forum nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, diskutuan mbi mundësit e zbatimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) në bujqësi.

Prodhimi bujqësor mund të bëhet më i saktë, ekologjikisht miqësor dhe i shpejtë nëse teknologjitë digjitale depërtojnë në këtë sektor ekonomik.

“Qëllimi është të rritet bujqësia dhe zhvillimi rural nëpërmjet përmirësimit të qasjes në informata. Kjo mund të ndihmojë njerëzit jetesa e të cilëve varet nga bujqësia, që të marrin vendimet më të mira të mundshme dhe të përdorin burimet e disponueshme në mënyrën më produktive dhe të qëndrueshme”, tha Nevena Alexandrova-Stefanova, oficere për sistemet e inovacionit bujqësor në FAO.

“E-bujqësia” përfshin hartimin, zhvillimin dhe zbatimin e mënyrave të reja për përdorimin e teknologjive të informacionit dhe të komunikimit – duke përfshirë teknologjitë digjitale – në fushën rurale. Fokusi kryesor është në bujqësi, duke përfshirë peshkimin, pylltarinë dhe bagëtinë.