Si të kanë trajtuar kur ke bërë gabime? Të kanë dënuar, pavarësisht se ke kërkuar falje, apo të kanë pyetur se si mund t’i zgjidhësh ato duke mësuar prej tyre? Ka një rëndësi shumë të madhe mënyra se si të tjerët sillen me ne kur gabojmë, apo se si sillemi ne kur të tjerët gabojnë.

Dua ta ilustroj gjithçka me një shembull personal. Kur vajza ime ishte shtatë vjeçe, rrëzoi padashje shishen e qumështit në dysheme. Ajo filloi të qante. Teksa e shihja duke qarë me sytë të ngulitur tek unë, po mendoja se si mund t’i jepja fund kësaj sjelljeje. Pyeta veten, nëse doja ta shihja përherë duke qarë, sa herë të bënte gabime. Pastaj, i thashë :

“Pse po qan?”

Ajo ma ktheu: “Babi gjithmonë më qorton, kur unë bëj gabime”.

“Në vend që të qash, si mund ta ndreqësh këtë që bëre?”, – e pyeta.

“Unë mund të marr kovën dhe ta pastroj dyshemenë”, – më tha.

“Shumë ide e mirë”, – ia ktheva.

Ajo e bëri atë që tha dhe tani, sa herë që bën ndonjë gabim, thjesht më shikon në sy, më pyet “Çfarë të bëj?” dhe pastaj qesh duke e gjetur vetë zgjidhjen e asaj që bëri. Gjëja më e bukur e gjithë kësaj, është se ajo pushoi së qari sa herë bënte ndonjë prapësi dhe përpiqej ta zgjidhte atë gjë vetë. Reagimi im nuk kishte të bënte fare me uljen e autoritetit të bashkëshortit tim, por me rëndësinë që ka komunikimi prindëror edhe mbi mënyrën se si perceptohen gabimet, apo se si zgjidhen ato nga ana e fëmijëve.

Mos e streso veten tënde duke menduar për një gabim që ke bërë, por pyet veten “Si mund ta ndreq unë atë që bëra? Çfarë mësova unë nga gjithë kjo? Si mund ta shmang unë një gjë të njëjtë në të ardhmen?Si mund t’i bëj të tjerët të mos e bëjnë të njëjtin gabim që unë sapo bëra?”. Pranoje gabimin, ndreqe atë dhe gëzohu se në të ardhmen do të bësh një gabim më pak.

Për ta mbyllur, dua të përmend një thënie lidhur me këtë temë nga Brandon Mull: “Njerëzit e zgjuar mësojnë nga gabimet e tyre, kurse njerëzit e mprehtë mësojnë edhe nga gabimet e të tjerëve”.