Trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani iu janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media. “Të gjithë mirë e dimë se kush është favorit në këtë përballje. Për ne është kënaqësi e veçantë që do t’i masim forcat me Milanin, por dua të theksoj se këtu nuk kemi ardhur për të shëtitur, por të bëjmë një paraqitje të mirë. Jemi gati kundër Milanit dhe të vetëdijshëm për sfidën që na pret, por deri tani Shkëndija ka treguar se di të luaj futboll dhe këtë do ta dëshmojë edhe ndaj Milanit”, – tha Qatip Osmani.

“Atmosfera në ekip është e shkëlqyeshme si çdo herë. Dhe kjo na jep shpresë për një paraqitje të mirë në “San Siro”. Mirë është që ne s’kemi ndonjë presion, por kemi vetëm dëshirë të tregojmë lojë të mirë. E dimë se nuk kemi çka të humbim, kurse mund të fitojmë shumë në këtë ndeshje kundër Milanit”, – tha “Buba”. Pas konferencës për shtyp, kuqezinjtë e Tetovës zhvilluan stërvitjen zyrtare në “San Siro”, ku sonte do të luajnë ndeshjen ndaj Milanit të madh. Sa i përket formacionit, trajneri Qatip Osmani u tha gazetarëve se ka vetëm një dilemë, kush do të luante në vend të Juniorit, që ka kartonë të kuq.