Robotët tani janë aq të mençur sa mund të mësojnë nëse jeni mashkull apo femër dhe madje të gjykojnë edhe personalitetin tuaj nga një shtrëngim duarsh. Shkencëtarët po zhvillojnë një robot humanoid “emocional” që është i ndjeshëm ndaj prekjes njerëzore.
Përveçse të ngjajnë si njerëz, robotët duhet gjithashtu të bëhen më të shoqërueshëm në mënyrë që ata të mund të integrohen në mjedise njerëzore, thonë studiuesit. “Tu japësh robotëve një personalitet është e vetmja mënyrë që lidhja jonë me inteligjencën artificiale të mbijetojë”, tha profesorja Adriana Tapus nga ENSTA ParisTech, Université Paris-Saclay. “Hulumtimi ynë do të ndihmojë gjeneratën e ardhshme të robotëve socialë të jenë të sjellshëm, empatikë dhe ndoshta të kenë ndjenjën e humorit”, shtoi ajo.
Robotët ENSTA zbulojnë emocionet dhe ndryshojnë sjelljen e tyre në përputhje me rrethanat. Rezultatet e para tregojnë se një robot është në gjendje të nxjerrë gjininë dhe personalitetin e dikujt në 75 përqind të rasteve thjesht nga një shtrëngim duarsh. “Së pari ne po zhvillojmë një model të shtrëngimit të dorës për gratë dhe burrat, për individët introvertë dhe ekstovertë, dhe bazuar në këtë model ne mund të nxjerrim në pah tiparet e personalitetit dhe gjininë”, tha Dr Tapus. Kështu për shembull, ata mund të gjykojnë shtrëngimin e dorës së një personi nga ngurtësia e krahut të tij dhe se sa ai e lëviz dorën.
Dr Tapus tha se gjatë një shtrëngimi duarsh femër e mashkull, të dy pjesëmarrësit aplikojnë më pak presion sesa për një shtrëngim duarsh mashkull-mashkull. Karakteristikat e tjera tregojnë se shtrëngimet e duarve tek femra janë më të gjata dhe kanë një frekuencë më të ulët. Ekipi gjithashtu ka studiuar njohjen e emocioneve si pjesë e një projekti për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga Çrregullimi i Sindromit Autistik (ASD).