Objektivi i presidentit Naser Al-Khelaiffi për stolin është portugezi Jose Mourinho, kështu shkruan “The Sun”.

Për momentin “Special One” ndihet mirë te Manchester United, por Mourinhos do t’i pëlqente që një ditë të drejtonte klubin nga “Parc des Princes” dhe kjo ditë mund të jetë shumë e afërt sesa e ka parashikuar tekniku luzitan.

Edhe pse ka kontratë me United deri në qershor të 2019-s, Mourinho mund të largohet nga “Old Trafford” që gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Me Unai Emery gjatë kësaj periudhe PSG po arrin rezultate fantastike, por drejtuesit e klubit parizien janë të fiksuar pas Mourinhos dhe kanë një as nën mëngë për të bërë të mundur kalimin e luzitanit në kryqytetin francez.

Ai është drejtori sportiv i PSG, Antero Henrique, i cili është një mik i Mourinhos, pasi kanë punuar të dy së bashku te Porto para shumë vitesh.

Fakti që ish-trajneri i Chelseat nuk po rinovon me “Djajtë e Kuq” ka vënë në lëvizje drejtuesit e PSG, me Al Khelaiffin që është gati t’i ofrojë një kontratë faraonike portugezit me një pagë prej 13,5 milionë eurosh në sezon.