Policia thotë se ka marrë infoemacione për një rast vjedhje në rrugën “Idriz Gjilani”. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në gjendje flagrante ka hasur në personin e dyshuar,  i cili në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor me shpejtësi është futur në automjetin Golf V ngjyrë e zezë, dhe në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes i njëjti me automjetin në fjalë ka goditur tre zyrtarët policor që kanë qenë në vendngjarje duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Në të njëjtën kohë i dyshuari ka goditur – aksidentuar edhe automjetin policor duke  shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme. Zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbenin një kërcënim të drejtpërdrejtë,  potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme. Me këtë rast i dyshuari A. Sogojeva,  mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka marrë lëndime trupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore në QKUK, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Zyrtarët policor të lënduar në këtë rast, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta  janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndaj të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh.

Përveç operacionit të bastisjes i ndërmarrë sot përkitazi me rastin, policia në koordinim me prokurorin e shtetit dhe mekanizmat e tjerë përkatës po kryejnë edhe veprimet e tjera të nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje.