Lancster i bëri këto komente pas vizitës që bëri në Ministrinë e FSK-së, ku ishte bashkë me delegacionin e Ministrisë së Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Lancster tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, si një partnere e vjetër dhe e përkushtuar në këtë drejtim.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë një partner i vjetër dhe i përkushtuar për Kosovën dhe jam shumë i impresionuar që jam kthyer përsëri këtu dhe të shoh progresin që është duke u bërë dhe jo vetëm brenda këtij kombi por edhe brenda FSK-së. Jam po aq krenar që kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit, të cilin ne vazhdojmë ta mbështesim.

Kjo është një mbështetje për të cilën jemi të përkushtuar për ta vazhduar edhe në të ardhmen. NATO është gurthemeli i mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, pra, ne kemi një interes të përbashkët në promovimin e sigurisë rajonale këtu dhe kjo është arsyeja pse unë jam shumë i kënaqur që jam këtu sot dhe të nënvizoj mbështetjen tonë të vazhdueshme për Kosovën”, tha ai.

Kurse, ministri i Forcave të Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha tha se Mbretëria e Bashkuar e ka ndihmuar Kosovën lirisë, pavarësisë dhe po vazhdon të mbështesë drejt ndërtimit dhe forcimit të shtetit.

Ndërsa shtoi se nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Sigurisë, ka bërë që të ketë bashkëpunim të shkëlqyer mes dy palëve sidomos në fushën e sigurisë, në arsimimin e pjesëtarëve të FSK-së, shkollimin dhe trajnime të ndryshme.

“Me fokus të veçantë biseduam rreth procesit të transformimit të Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura që realisht e kërkuam edhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar të vazhdojë të na mbështes edhe në këtë drejtim, sepse ne mendojmë që me transformimin e Forcës të Sigurisë të Kosovës në ushtri të Kosovës, ose në Forca të Armatosura rrumbullakohet shtetësia jonë.

E njoftuam se jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese për shkak se votimi i ndryshimit në parlament do të jetë më i lehtë nëse edhe komuniteti jo-shumicë, në këtë rast komuniteti serb, do ta voton ndryshimin kushtetues, por edhe rruga e integrimit në NATO do të jetë shumë më e lehtë për Forcën e Sigurisë”, tha ai.

Berisha u shpreh mirënjohës ndaj kontributit të ministrit Lancster dhe Mbretërisë së Bashkuar, për kanë bërë për Kosovën dhe Ministrinë e Forcës së Sigurisë.

Ndryshe, ministri Lancster gjendet në Kosovë pas 18 vitesh, ku kishte shërbyer si ushtar i KFOR-it, ndërsa  u shpreh të jetë i nderuar të shoh progresin që ka arritur Kosova për 18 vite.

Ai gjatë ditës ka takuar Presidentin Hashim Thaci dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.