Në një intervistë për televizionin SCAN, Drejtoresha e  shkollës 9 vjeçare “De Rada” në kryeqytet,  Rozina Kollçaku  e vlerësoi shumë të rëndësishëm urdhrin e një dite më parë  të  Drejtorit  të  Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako , urdhër i cili detajon masat  e posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, të aksidenteve rrugore në shkolla dhe përreth tyre.

“Detyra më e rëndësishëm e gjithsecilit është siguria e fëmijës pastaj vjen edukimi dhe të gjitha të tjerat me radhë. Kjo është një masë shumë e rëndësishme dhe e përgëzojmë policinë e shtetit. Ne sigurisht jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim, në çdo kohë.

Shkolla sigurisht që duhet të ofrojë një ambient të sigurt për fëmijët dhe prezenca e forcave te rendit sigurisht që krijon një lloj klime akoma më të sigurt për vetë prindërit dhe fëmijët. Unë shfrytëzoj rastin të uroj të gjithë fëmijët e Shqipërisë suksese dhe një vit të mbarë shkollor, sidomos nxënësit e De Radës.

Policia do të shkëmbejë informacione me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Gjithashtu do të mbyllen lokalet e tregtisë dhe nuk do të lejohen  pikat ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave.