Ndonëse për të njëjtë arsye PDK, kishte prishur marrëveshjen qeverisëse me LDK-në, pasi qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa hezitonte ta dërgonte në Kuvend për ratifikim, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndryshimet në qeveri apo zgjedhjet e reja nuk janë tema të cilat e shqetësojnë koalicionin.

Hoxhaj për lajmi.net ka thënë, se PDK nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, por si parti me përgjegjësi shtetërore kanë votuar komisionin  e ri, për të parë se cila do të jetë puna e tij.

“Si parti që ka pas dhe ka përgjegjësi shtetërore çdo herë kërkojmë zgjidhje dhe prandaj kemi votuar pro këtij komisioni të ri që të shohim se cila do të jetë puna që do ta bënë”.

“Kryeministri Haradinaj dhe partneret e tjerë të koalicionit e kanë mbështetjen e plotë të PDK-së. Ne jemi një parti shumë serioze dhe deri më tani z. Haradinaj ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe as ndryshimet në qeveri e as zgjedhjet e parakohshme nuk janë tema ta cilat na shqetësojnë”, ka thënë Hoxhaj për lajmi.net.

Të mbyllur çështjen e demarkacionit e ka vlerësuar edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili në cilësinë e ministrit të Jashtëm që në atë kohë ishte pjesë e PDK-së, në gusht të vitit 2016 e kishte nënshkruar këtë marrëveshje.

Madje, në opinion ishte komentuar se PDK nuk mund të mos e përkrahë një process të cilin e kishte udhëhequr ish-lideri i tyre.

Por, për Hoxhajn shqetësim i koalicionit mbetet përmbyllja e disa temave të mëdha.

“Shqetësimet janë se si t’i përmbyllim disa nga temat e mëdha, si demarkacioni, liberalizmi i vizave, formimi i ushtrisë dialogu me Serbinë, marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”, është shprehur Hoxhaj.

Komisioni i ri për shënjimin e vijës kufitare i emëruar nga kryeministri Hardinaj, ndonëse nuk ka përfunduar punët ende, ka vlerësuar se kanë gjetur prova që vërtetojnë se Kosova ka humbur territor nga kjo marrëveshje.

Thirrje që versioni i marrëveshjes së vitit 2016 të miratohet në Kuvend ka bërë edhe faktori ndërkombëtarë. Ratifikimi i kësaj marrëveshje është kushti kryesor për heqjen e vizave për Kosovën