“Në këtë takim kemi paraqitur qëndrimet e Kosovës për perspektivën tonë evropiane. Kishim edhe një takim me komisionarin Hahn.Në të gjitha takimet e kemi shfrytëzua mundësinë për me raportua për punët e bëra, për prioritetet e identifikume, për qëndrimet tona për temat me rëndësi, si zhvillimet rajonale dhe dialogu”.

Haradinaj ka thënë se në secilin takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe e statusit të kandidatit për Kosovën.

“I kam tregua qëndrimet tona që është tregu një shpërputhje për ne, që ka një vonesë për Kosovën pasi që jemi  privua nga e drejta për qarkullim të lirë pa viza”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka sqaruar edhe lajmet e djeshme per konferencen e paraparë të mbahej bashkë me shefen e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Haradinaj tha se arsyeja e mos mbajtjes së konferencës ka qenë zgjatja e takimeve, të cilat morën kohën e paraparë edhe për konferencë. Derisa, në të gjitha takimet, Haradinaj shtoi se ua ka bërë me dije zyrtarëve evropianë që SHBA duhet të ketë rol të rëndësishëm në procesin e dialogut.

“Ne në fund kemi lëshuar një deklaratë të përbashkët, të dakorduar, por nuk kemi pasur konferencë për shtyp. Arsyeja pse u vonuam në këto takime dhe disa prej temave u diskutuan në mënyrë përmbajtësore dhe morën me shumë kohë. Bindja ime dhe e Kosovës është se Kosova ka humbur shumë kohë në përmbylljen e çështjeve të hapura për Kosovën. Do të thotë fakti se kosovarët e lindur në vitin 1999 kanë votuar, ndërsa Kosova ende nuk është e definuar, e përmbyllur. Këto kanë qenë ato pikëpamjet e mia të vazhdueshme edhe kërkesa ime që dialogu të jetë BE-SHBA, që edhe roli i SHBA-s të jetë i rëndësishëm në këtë proces”, tha Haradinaj.

Haradinaj u pyet edhe për deklaratat e ish-shefit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, se brenda këtij misioni ka korrupsion.

“Janë të dëmshme për cilëndo organizatë kur një pjesëtar i saj flet për situata të tillë në organizatë. Ajo që më habit mua është kur një gjyqtar parimor, nuk e thotë në kohë kur ndodh shkelja por e thotë pasi kanë kaluar gjitha ato kohëra, është disi e habitshme dhe e zbeh krejtësisht këtë situatë”, u shpreh ai.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova është serioze në perspektivën e saj evropiane dhe roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është i pazëvendësueshëm.