Sulmuesi i Barcelonës shkruhet se dëshiron të largohet nga “Camp Nou”, aty ku ndihet i burgosur si pjesë e treshes “MSN”, në hijen e argjentinasit Lionel Messi, pa mundësinë për t’u bërë idhulli i vetëm i tifozëve. Në Paris janë gati të paguajnë klauzolën e tij prej 222 milionë eurosh, që do të ishte një rekord në histori.

Në Katalonjë, ndërkohë, drejtuesit janë shprehur “200% të sigurt” se 25-vjeçari nuk do të lëvizë, por dita-ditës dyshimet po shtohen, sidomos me vizitën e babait të lojtarit në kryeqytetin e Francës.

“PSG-ja dëshiron lojtarët më të mirë në botë, të cilët janë në klubet më të mira në botë. Nëse duam të konkurrojmë me skuadra si Bayern München, Barcelona, Real Madrid dhe të fitojmë Ligën e Kampionëve, duhet të kemi një nga pesë lojtarët më të mirë në botë. Po përpiqemi që këtë verë ta blejmë një të tillë”, – është shprehur Emery. “Neymar është në pesëshen më të mirë në botë. Presidenti dhe klubi kanë punuar me vite për të tërhequr lojtarët më të mirë. Skuadra, por edhe tifozët, do të ishin të lumtur për këtë, edhe pse nuk është e lehtë. Ndoshta do t’ia arrijmë qëllimit, ndoshta jo”, – ka shtuar trajneri.

Që kur luante te Santosi, duke dëgjuar prej gjithë botës se sa i mirë është, Neymar i ka vendosur një qëllim vetes, “Topin e Artë”. Nëse fiton Ligën e Kampionëve duke qenë ylli i padiskutueshëm i PSG-së, atëherë shanset do të ishin shumë të mëdha. Braziliani nuk ka më durim të presë perëndimin e “Pleshtit”, i cili sërish ka rinovuar dhe duket sikur do të jetë i përjetshëm te Barcelona.

Thuhet se në Paris ka vetëm një shenjë “Stop!” dhe ky duket vendi i duhur për Neymar-in: një qytet pa kufij, i gjithi për të, me kushtet ideale për të pushtuar kontinentin…